Sh M U "Abaz Ajeti" promovon projektin e “Kosovizion-Contest”

Sh M U "Abaz Ajeti" promovon projektin e “Kosovizion-Contest”

Gjilan – Nxënësit e shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan e kanë kthyer në gjelbërim të hapësirës një projekt të “Kosovizion-Contest”, të cilin ata e kanë fituar në garën e filloristëve, duke dhënë kështu një shembull të mirë edhe për nxënësit tjerë, komunitetin e lagjes si dhe mbarë qytetin, sa i përket kujdesit për ambientin.

Mësuesja Syzana Demi, së bashku me klasën e saj, kanë punuar me shumë përkushtim për të arritur këtë sukses në garën e dijes për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës.

“Vendi ynë ndodhet në një pikë kthese të historisë dhe përballet me sfida të mëdha”, ka thënë mësuesja Syzana Demi, duke nënvizuar me këtë rast se projekti i “Kosovizion Contest” ishte një mundësi për të shprehur vizionin tonë.

Ajo shprehet e kënaqur që përmes këtij aksioni kanë arritur të sensibilizojnë nxënësit, komunitetin e lagjes dhe qytetin e Gjilanit, për rëndësinë që ka ambienti, përkatësisht natyra, për ekzistencën tonë. “Ai që nuk arrin të krijojë paqe me natyrën, nuk do të ketë paqe as me njeriun”, ka thënë Demi.

Nën moton “Paqe me natyrën, paqe me njeriun”, nxënësit e mësueses Syzana Demi filluan aksionin për gjelbërimin e hapësirës shkollore, me një shumë modeste prej 500 euro, të cilën e fituan në projektin e “Kosovizion…”, por që më vonë atyre iu bashkëngjitën, pos nxënësve dhe mësimdhënësve tjerë të shkollës, edhe qytetarët, siç bëri edhe një bashkatdhetar nga Zvicra.

Kështu u gjelbërua një hapësirë prej 1.200 metrave katrorë, u mbëltuan 82 drurë bliri si dhe 40 fidanë, të cilat erdhën si donacion nga zyra amerikane, ndërkaq lulet u siguruan nga drejtori i kompanisë “Higjiena”.

“Dëshirojmë dhe shpresojmë që deri në vitin 2013, oborri i shkollës sonë të duket sikurse kopshtet më të mira të vendeve të qytetëruara”, ka thënë Demi, derisa ka nënvizuar se madhështia e njeriut qëndron te harmonia që ai krijon me natyrën.

Katrina Vashington, donatore e “Kosovizion Contest” nga Zvicra, u shpreh e lumtur që në hapësirat e shkollës “Abaz Ajeti” është krijuar një kopsht kaq i bukur dhe i ka uruar nxënësit dhe arsimtarët e këtij kolektivi për punën e mirë që kanë bërë.

Kurse Bujar Nevzati, drejtor për Arsim, premtoi se aksionin e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorisë së kësaj shkolle do ta vazhdojë më tutje drejtoria e Arsimit, ndërkohë qu shpreh i lumtur që nisma për rregullimin e ambientit shkollor, ka ardhur nga nxënësit dhe mësuesja Syzanë Demi.

Shkolla “Abaz Ajeti” është një shkollë e madhe, e mirë dhe me një hapësirë më të madhe në qytet, por që i ka munguar gjelbërimi deri tani, ka thënë Nevzati.

Ndërkaq, drejtori Hetem Kosumi tha se do të vazhdojnë më tutje me aksione të tilla, sepse 2012-tën e kanë shpallur, vit i gjelbërimit në këtë mjedis shkollor, që po bëhet çdo ditë e më i bukur. /RadioRinia/

Kthehu