Gazeta “Zëri” vazhdon të shpërblej tri poezitë më të mira të muajit, të cilat botohen në faqen dedikuar për më të vegjlit. Edhe fondi i shpërblimeve është i madh, kjo falë bashkëpunëtorëve tanë. Edhe gjatë këtij muaji e kemi pasur të vështirë që të përcaktohemi për tri poezitë fituese, pasi vërtetë ka pasur poezi mjaft të bukura dhe të ndërthurura mjaft mirë.
Stafi i rubrikës së faqes për fëmijë, këtë herë si poezinë më të mirë për muajin maj 2013, e ka zgjedhur atë me titull “Lepurushi”, i autores Luljeta Shala. Luljeta është nxënëse e shkollës fillore “Nëna Terezë”, në Mitrovicë. Për këtë poezi të shkruar mjaft bukur, Luljeta shpërblehet me një libër të bukur nga gazeta “Zëri”, ndërsa nga shtëpia botuese “URA”, ajo merr edhe librat “Udhëtimi pas mjegullës”, i autorit Jonuz Fetahaj, pastaj “Shkurtabiqi më i madh”, i autorit Rifat Kukaj, “Lojë në Trojë” i autorit Xhemë Karadaku, “AnaDrini”, i autores Lumnie Thaçi-Halili si dhe librin “Nëna e lirisë” e autorit Xheladin Mjeku.
Si poezia e dytë më e mirë për muajin Maj 2013, shpallur ajo e autores Edona Maliqi, e cila mban titullin “Vera”. Edona është nxënëse e klasës V/1 në shkollën fillore “Skënderbeu” në Kroishtë. Ajo për këtë poezi shpërblehet gjithashtu me një libër të bukur si dhe me tre libra nga shtëpia botuese “URA”, “Udhëtimi pas mjegullës”, i autorit Jonuz Fetahaj, pastaj “Diell Lirie”, i autorit Rexhep Ajazi dhe “Rritë plot dritë”, i autores Erëza Devaja. Pozita e tretë këtë herë shkon për poezinë “Hëna me yje”, e autorit Jetik R. Gjonbalaj. Jetiku është nxënës i shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë. Ai si shpërblim merr një libër të bukur nga gazeta “Zëri” si dhe si dhe me dy libra nga shtëpia botuese “URA”, “Udhëtimi pas mjegullës”, i autorit Jonuz Fetahaj dhe “Kopshti i blertë” i autores Edonë Sadiku.