Nis mbarë vitin shkollor 2018/2019

 

 

Si në të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme në komunën e Gjilanit, edhe në shkollën “Abaz Ajeti” ka filluar sot mësimin me kohë, falë përgatitjeve maratonike që janë bërë javëve të fundit.

 

 

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e DKA’së, Nazim Gagica, kanë vizituar shkollën fillore “Abaz Ajeti”, gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti” dhe shkollën fillore “Skënderbeu” në Përlepnicë, duke parë nga afër procesin.

 

“Në përgjithësi sot e kemi parë që është nëj fillim i mbarë i vitit shkollor 2018/2019. Do të punojmë në mbylljen e problemeve të vogla teknike, të cilat janë të natyrshme si pjesë e punës. Detyrimisht, ky është njëri prej viteve më të përgatitura dhe më të mbara që po e fillojmë. Palestrat dhe sallat sportive janë të furnizuara. Shkolla në Përlepnicë dhe në Bresalc janë paraparë që të renovohen totalisht në kuadër të projektit të efiçiencës  së energjisë elektrike me donatorët. Urime dhe suksese për nxënësit, mësimdhënësit e prindërit”, ka thënë kryetari Haziri, gjatë vizitës që u ka bërë këtyre shkollave.

 

Haziri konfirmoi se shkolla e mesme e artit do të finalizohet me një dinamikë më të madhe, sikurse edhe ajo në Haxhaj, duke shtuar së në vitin e ardhshëm nis ndërtimi i shkollës fillore në qytet.

 

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazim Gagica, ka njoftuar se të gjithë nxënësit nga klasa e parë e deri në të nëntën janë pajisur me tekstet shkollore.

 

“Procesi mësimor në të gjitha shkollat ka filluar me rregull dhe konsideroj se në këtë vit shkollor kemi hyrë mjaft të përgatitur. 11 mijë e 724 nxënës janë pajisur me tekstet shkollore falas dhe këtë vit risia është që tekstet u janë dhënë edhe nxënësve të klasave të nënta. Këtë vit kemi filluar edhe me furnizim me kohë të ditarëve që në ditën e parë dhe gjithë procesi po ecën mirë. Uroj nxënësit, mësimdhënësit dhe nxënësit”, ka thënë Gagica.

 

Drejtori i shkollës fillore “Abaz Ajeti”, Arsim  Bejtullahu  e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mbështetjen e madhe për sektorin e arsimit.

 

Kthehu